Historia e dhimbshme e gruas nga Suhareka, qëndroi në gjendje të rëndë për 15 ditë në QKUK

H.D nga fshati Samadraxhë i komunës së Suharekës, ka vdekur në QKUK pas 15 ditësh qëndrimi në kujdesin intensiv pas lëndimeve të rënda që mori. Ndonëse ende nuk është bërë e ditur se si u lëndua, një person është arrestuar lidhur me këtë rast.

Zyra për Informim e QKUK-së ka bërë të ditur  se 54 vjeçarja ka qëndruar në mjekim intensiv nga data 01.06.2019, ndërsa ka vdekur dje, me datë 15.06.2019.“Sipas informatave, H.D nga Suhareka, viti i lindjes 1965 është shtirë në mjekimin intensiv qendror me datë 01.06.2019, dhe ka vdekur dje, me datë 15.06.2019”, kanë thënë nga Zyra për Informim.Tutje, është bërë e ditur se gruaja ka qenë në gjendje të rëndë, dhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, ka ndërruar jetë.Pas kësaj, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Instituin e Mjekësisë Ligjorë (IML) për obduksion.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me këtë rast është arrestuar edhe një mashkull, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe rasti po vazhdon të hetohet.“Me urdhër të prokurorit është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.