Historianët e Deçanit i reagojnë Sava Janjiqit, kërkojnë që kisha serbe të kërkojë falje për gjenocidin mbi shqiptarët

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, reagon ashpër ndaj deklaratave të, siç e quajnë ata, klerikut serbomadh antishqiptarit Igumenit Sava Janjiqi, i cili shërben në Manastirin ortodoks shqiptar të Deçanit, manastir ky i uzurpuar nga pushtuesit serbë që në periudhën mesjetare, deklarata këto që u beri mbrëmë në emisionin e lajmeve “Ditari” të Zërit të Amerikës.

Gjatë intervistës së dhënë për Zërin e Amerikë, Igumeni Janjiq ndër të tjera duke ju referuar luftës së fundit në Kosovës, ai theksoi sw : “Gjatë luftës Manastiri ka ndihmuar qytetaret shqiptarë”.

“Kjo nuk qëndron dhe assesi nuk përket me realitetin. Manastiri i Deçanit gjatë kohës së luftës çlirimtare në Kosovë, ka luajtur një rol negativ dhe ka bërë veprime antishqiptare. Ne, i rikujtojmë Igumenit Janjiq se ende janë të freskëta në memoriet tona meshat kishtare në të cilat drejtuesit me të lartë të Manastirit të Deçanit, po në këtë tempull kishin “spërkatur me ujë të shenjtë dhe tymosur me tym” qindra paramilitarë serbë të cilët me pas kanë kryer krimet me të rendë kundër shqiptarëve të Deçanit me rrethinë por edhe me gjerë”, thuhet në reagim.

Po ashtu ai ndër të tjera theksoi: “Manastiri Deçanit i përket kishës ortodokse serbe”, është e pavërtete se Manastiri i Deçanit i takon kishës serbe. Manastiri i Deçanit është tempull fetar i shqiptarëve ortodoksë, i cili është rindërtuar mbi themelet e një tempulli iliro-dardan, e manastiri është ndërtuar nga Fra Vita Kuçi në tokën e Haka Kuçit nga Deçani.

“Ky tempull i shqiptarëve është okupuar nga pushtuesit serbë në krye me Stefan Uroshi III, djali i Millutinit dhe babai i Stefan Dushanit. Në relacionet e shekullit XVII, Fra Kurbin relator i papës së Romës, veç se përshkruan Manastirin e Deçanit, ai thekson së në Manastirin e Deçanit ka takuar priftërinj shqiptarë”, thuhet në reagim.

Ndër të tjera Igumeni Janjiq theksoi se : “Ne kemi dokumentet e Kosovës, ne respektojmë ligjet e Kosovës”, pafytyrësia e tij shihet në këto deklarata publike, sepse Igumeni Janjiq, nuk i njeh dhe nuk i respekton ligjet e Kosovës, sepse nëse ai e kishte pranuar realitetin e ri në Kosovë, vendit tonë nuk do të ju kishte referuar si Republika e Kosovës, e jo si “Kosova e Metohija.

Kryesia e LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, i kërkon Igumenit Janjiq që të tërhiqet nga deklaratat e tija dhe të kërkojë falje për gjenocidin që ka kryer populli dhe shteti serb kundër shqiptarëve të Deçanit e Kosovës.

“Po ashtu, ne i kërkojmë Igumenit që të tërhiqet nga provokimi i situatës së sigurisë në Deçan, sepse pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, nuk i takojnë Manastirit të Deçanit, po pronat i takojnë dy ndërmarrjeve dhe Komunës së Deçanit. Ne, i rikujtojmë Savës dhe vartësve të tije, se nuk ka shqiptarë që do të bartë pronën dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në pronësi të Manastirit të Deçanit, sepse për ne vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm dhe i pazbatueshëm sepse me këtë dokument legjitimohen vendimet e kohës së masave të dhunshme të kohës së Millosheviqit”, thonë historianët.