Kërkohet dorëheqja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Historianët e Deçanit kërkojnë dorëheqjen morale dhe të parevokueshme të Arta Rama-Hajrizit, nga detyra e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, është duke e përcjell me interesim të shtuar zhvillimet e fundit rreth presionit ndërkombëtarë që Komuna e Deçanit të e bartë në pronësi të Manastirit të Deçanit, 24 hektar tokë të Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, prona këto që Manastirit të Deçanit, ju kanë dhënë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të drejtuar nga Arta Rama-Hajrizi, vendim ky që është i bazuar në ligjet e kohës së masave të dhunshme të kohës së Sllobodan Millosheviqit”, thuhet në deklaratën e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, të postuar në Facebook.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan konsideron së vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i nënshkruar nga Arta Rama-Hajrizi, ka bërë precedent të rrezikshëm për Deçanin dhe Kosovën, si dhe për rendin e ri kushtetues të Republikës së Kosovës, “andaj mbështetur në argumentin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i Republikës së Kosovë, i majit 2016, i nënshkruar nga Arta Rama-Hajrizi, ku legalizohen vendimet e Millosheviqit, ka goditur rëndë Kushtetutën dhe realitetin e ri në Kosovë, ne historianët e Deçanit, kërkojmë dorëheqjen morale dhe të parevokueshme të Arta Rama-Hajrizit, nga detyra e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, vazhdon deklarata.

Lidhja thekson se Rama-Hajrizi, duhet të jap dorëheqje, si akt moral “i gabimit të saj trashanik dhe të pa falshëm”. “Ajo me nënshkrimin e aktgjykimit të majit 2016, ka rrezikuar dhe është duke e rrezikuar jetën e qytetarëve dhe sigurinë në Deçan dhe rrethinë”, thuhet në deklaratë.