Historike: 2 milion qytetarë të Hong Kongut i bashkohen protestave (foto & video)!

Protestat masive që po mbahen ditëve të fundit në Hong Kong duket se kanë kaluar të gjitha parashikimet e mundshme.

Sipas organizatorëve, në protestë kanë marrë pjesë dy milionë qytetarë. Nëse vërtetohet, atëherë kjo do të jetë protesta më e madhe në historinë e Hong Kongut, raporton BBC.

“Në marshin e sotëm kishte dy milionë njerëz”, ka deklaruar Jimmy Sham nga Fronti Civil për të Drejtat e Njeriut.

Nga ana tjetër, policia ka konstatuar se në protestë kanë marrë pjesë 338 mijë protestues.

Ky vend u përfshi nga vala masive e protestuesve pasi qeveria e Hong Kongut propozoi një ligj që mundëson ekstradimin nga Hong Kongu në Kinën kontinentale.

Pavarësisht se të shtunën udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, kërkoi falje për propozimin e ligjit dhe pezulloi atë, megjithatë kjo nuk ishte e mjaftueshme për protestuesit.

Protestuesit janë duke kërkuar jo vetëm heqjen komplet të ligjit, por edhe dorëheqjen e Carrie Lam si udhëheqëse e Hong Kongut, e cila gëzon përkrahjen e Kinës.