Hoti akuza Qeverisë se po abuzon me buxhetin: Po jep para për frizere, fasada e roleta të shtëpive

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë dhe ministritë për keqpërdorime dhe abuzim me subvencione.


Ai thotë se Qeveria ka ndarë para nga buxheti i shtetit për udhëtime private, frizere e për fasada e roleta të shtëpive. Hoti thotë se të gjitha këto keqpërdorime janë të listuara në raportet e Auditorit për vitin 2018.

Ai shkroi se Ministria e Mjedisit ka paguar “14 persona për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut. Këta nuk janë zyrtarët të Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj mbështetje.”

Hoti gjithashtu akuzoi edhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik se ka paguar shpenzimet e një zyrtareje për ceremoninë e saj të diplomimit, duke i klasifikuar këtë rast si “shpenzime për udhëtim zyrtar”.

Hoti thotë se për të gjitha keqpërdorimet do të kërkohet përgjegjësi dhe se drejtësi do të ketë, sado e vonuar që do të jetë.