Hoti komenton letrën publike të Kurtit

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se nuk i ka pëlqyer letra publike e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti pasi sipas tij takimet e deritanishme janë bërë vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se kanë pasur një bashkëpunim të mirë me Vetëvendosjen.

“Ne nuk kemi kërkuar që këta t’i rreshtohen prapa LDK-së ose Vjosa Osmanit, por pasi jemi partia më e madhe neve na takon ta caktojmë kandidatin për kryeministër. Kështu siç është shtruar, përmes letrave publike, nuk është e mirë. Nuk e parapëlqej letrën e Kurtit pasi është e dëmshme, pasi deri më tani kemi pasur takime direkte e jo përmes portaleve”, ka thënë Hoti.

Sipas tij një koalicion ndërmjet VV-së dhe LDK-së është i vetmi që hap perspektivë të mirë për shtetin e Kosovës.

“Hajde të garojmë së bashku dhe të dakordohemi së bashku madje edhe për planprogramin. Një kandidim i tillë pa lider është e padrejtë pasi nuk ka adresë të saktë. Madje edhe vet Glauku e ka thënë para pak ditësh të njëjtën gjë”, ka thënë Hoti. /Front Online/