Hoti: Programi për rimëkëmbjen ekonomike po merr përkrahje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se futja e 1.2 miliard eurove në treg, për Programin e rimëkëmbjes ekonomike po merr përkrahjen e domosdoshme.

Përmes një njoftimi në Facebook, përcjell Lajme365, Hoti ka thënë se për jetësimin e këtij programi është e nevojshme edhe përkrahja e jashtme, duke treguar se ka mbështetje edhe nga Presidenti i Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabarti dhe Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore.

Postimi i plotë:

Programi për rimëkëmbje ekonomike po merr përkrahjen e domosdoshme, prandaj edhe e kemi shtuar aktivitetin për futjen e 1.2 miliard eurove në treg!

Për jetësimin e këtij programi sigurisht se është e nevojshme edhe mbështetja nga donatorë të jashtëm, prandaj jam i lumtur të ju njoftoj se sot, në dy video konferenca të ndara, mora mbështetje nga Presidenti i Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabarti dhe Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore.

Rruga përpara ka shumë sfida dhe na pret angazhim e përkushtim i vazhdueshëm, prandaj edhe në mbledhjen e qeverisë sot, kërkova që ministrat nga resorët e ekonomisë të fillojnë sa më parë me hapat e nevojshëm për zbatimin e masave në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike!

#QeveriaHoti #RKS/lajme365.com