Hoti synon ta bëjë drejtor të AKI-së njeriun e afërt me Isa Mustafën

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se ka qenë iniciativë e tij shkarkimi i Drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi.

Mirëpo Hoti ka bërë të ditur se ka dërguar tek Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, propozimin e ri për drejtor, ndonëse ka refuzuar të tregojë emrin e tij.

Gazeta Insajderi përmes burimeve të sigurta ka mësuar se propozimi i ri për drejtor të AKI-së është Latif Merovci.

Merovci në vitit 2018 ishte shkarkuar nga detyra e zëvendëshefit të AKI-së nga Qeveria Haradinaj.

Në atë kohë Gazeta Insajderi kishte raportuar se Merovci së bashku me katër kolegë të tij po hetohej nga prokuroria për për keqpërdorim të pozitës zyrtare, cenimi i marrëdhënies së punës, ushtrimi i ndikimit, shantazh, moslajmërim i veprave penale, fotografim dhe incizim i paautorizuar.

Mes krimeve që dyshohej Merovci dhe të tjerët ishte edhe një tender i dyshimtë për firmën e djemve të ish-kryeministrit asokohe Isa Mustafa.

Institucioni që kishte varësi nga ish-kryeministri, Isa Mustafa dyshohej se kishte kurdisur një tender për djemtë e tij, Besikun dhe Arbenin. Bëhej fjalë për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që ia ka dhënë tenderin kompanisë, “Makcar”, në pronësi të djemve të Mustafës, për riparimin e një veturë të blinduar BMW X5. Tenderin për këtë veturë djemve të Mustafës, ia kishte dhënë edhe Zyra e Kryeministrit. Disa muaj më vonë, vetura i është dhënë në shfrytëzim AKI-së. Ky institucion ia kishte dhënë tenderin kompanisë për defektin e njëjtë të veturës së njëjtë, por me çmim katërfish më të lartë.

Katër vite më parë, pas dorëheqjes së Agron Selmanjt, Latif Merovci ishte emëruar përkohësisht në krye të AKI-së, ku pas një kohe ishte shkarkuar./Insajderi.org