Hoxhaj kërkon që rasti i fajdexhinjve që përdorën emrin e Veselit të sqarohet deri në fund

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në konferencën për media, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deklaron se kjo parti kërkon sqarimin dhe shpjegimin deri në fund të rastit të grupit që dyshohen si fajdexhinj për keqpërdorimin e emrit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Nuk është hera e parë që ka ndodhur, pasi që një rast të tillë e kishim denoncuar edhe në vitin 2014 në Policinë e Kosovës”, thotë Hoxhaj.

Ai thekson se tashmë është e qartë që ka një tendencë të grupeve të caktuara që ta dëmtojnë PDK-në.

“Prandaj, ne kërkojmë që rasti të sqarohet deri në fund dhe që këta përsona të dënohen siç e parasheh ligji. Përpjekje të këtilla asnjëherë nuk mund ta ndalin agjendën shtetndërtuese të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaron Hoxhaj.