Hoxhaj: PDK nuk lëshon pe për postin e kryeministrit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, dhe njëherësh nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë përmes një shkrimi se PDK nuk bën kompromise sa i përket postit të kryeministrit me asnjë parti.

Madje, Hoxhaj ka thënë se tashmë është provuar se çfarë ndodhë kur posti i kryeministrit iu mbetet partnerëve të koalicionit, andaj një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në këto zgjedhje.

“PDK është forca që gëzon besimin më të madh tek qytetarët dhe këtë do ta dëshmojmë edhe në këto zgjedhje. Ne e kemi provuar tashmë çfarë ka ndodhur kur postin e Kryeministrit ua kemi lënë partnerëve të koalicionit. Prandaj nuk do të bëjmë kompromise të asnjë lloji kur kërkojmë votëbesimin e qytetarit”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai ka thënë se në këto zgjedhje PDK do të hyjë vetë dhe posti i kryeministrit është i panegociueshëm.

“Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, ato parti që nuk do kenë kurajën që të bëhen pjesë e pikave tona programore, nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme që ne do ta udhëheqim. Qytetari në zgjedhje tregon se kush ka vullnet dhe forcë t’ju prijë proceseve!”, ka përfunduar shkrimin Hoxhaj.