Hoxhaj: Taksa është ide jona. Me Veselin kryeministër, nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në kabinetin e tij është përpunuar propozimi për taksën ndaj produkteve serbe.

“Gjatë verës së 2018-s, në Kabinetin tim janë përpunuar dy propozime: njëri për taksën dhe tjetri për masa reciproke ndaj shtetit serb. Jam krenar që në nëntorin e kaluar njëra është bërë realitet, ndërsa reciprociteti është bërë diskurs edhe i partive në opozitë!”, ka shkruar Hoxhaj, në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Hoxhaj ka bërë thirrje për mbrojtje të sovranitetit të Kosovës në çco cep të saj dhe për zgjerim të njohjeve ndërkombëtare, duke vlerësuar se interesi shtetëror i Kosovës është i barabartë me interesat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë.

“Duhet ta ushtrojmë sovranitetin në çdo cep të Kosovës dhe ta zgjerojmë njohjen ndërkombëtare të saj. Por asesi të mos harrojmë se interesi shtetëror i Kosovës është i barabartë me interesat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë! E ardhmja e Kosovës është vetëm rruga drejt anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE!”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj gjithashtu është shprehur se “Besoj se në Qeverinë e re me kryeministër Kadri Veselin, do të kemi masa të reja kundër fushatës serbe. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës”.