Hoxhiq dhe Thran diskutojnë për sundimin e ligjit dhe gjendjen e sigurisë

Ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq priti Zëvendës Shefin e Misionit të EULEX-it Bernd Thran. Hoxhiq dhe Thran, sipas njoftimit të MAPL-së, shkëmbyen mendime mbi gjendjen aktuale të sundimit të ligjit dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se përmes punës aktive dhe bashkëpunimit të ngushtë të të gjitha institucioneve mund të ketë përmirësim të jetës dhe zgjidhje e shumë çështjeve që shqetësojnë qytetarët e Kosovës.

Ministrja Hoxhiq theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së EULEX-it në procesin e integrimit të nëpunësve civilë në institucionet e Kosovës.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është në dispozicion të misionit të EULEX-it në mënyrë që ta bëjë Kosovën një vend më të mirë për jetën e komuniteteve në përputhje të plotë me praktikat më të mira të BE”, tha Hoxhiq, njofton MAPL.