I arrestuari Basara dyshohet për keqpërdorim të detyrës në lidhje me hetimet rreth vrasjes së Ivanoviqit

Hetuesi i PK-së i arrestuar Rade Basara po hetohet nga PSRK për keqpërdorim të detyrës zyrtare që lidhet me hetimet dhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Pos kësaj, ai po dyshohet edhe për krim të organizuar, ka konfirmuar për KTV-në prokurori i rastit Sylë Hoxha.

Për veprat e njëjta po kërkohet edhe Zhelko Bojiq. Djali i tij i arrestuar, Vasilje Bojiq po hetohet për armëmbajtje pa leje.

Prokurori Hoxha ka konfirmuar se ka nisur marrjen në pyetje të Basaras.

“Ia kemi caktu një avokat sipas detyrës zyrtare sepse ka thënë se nuk ka kushte financiare ta angazhoj një”, ka thënë Hoxha.

Oliver Ivanoviqi u vra më 16 janar të 2018-s në një atentat herët në mëngjes para selisë së partisë së tij.

Milan Radoiçiq, të cilin vet Ivanoviqi pak para se të vritej e kishte quajtur ‘sundues të vërtetë dhe të errët të veriut’, është ende gjithashtu në kërkim si i dyshuar për këtë vrasje.

Ai është nënkryetar i Listes Serbe, e i cili ka mbështetje të vazhdueshme nga Beogradi dhe vet presidenti Aleksander Vuçiq. / Koha.net