I hyn politikës në moshën 100 vjeçare!

Lisel Heise nga Gjermania i ka përvjelë mëngët për t’u angazhuar në politikë. Edhe pse është 100 vjeçe, ajo është zgjedhur anëtare e këshillit të qytetit Kirchheimbolanden.

Ky qytet i vogël gjerman, me rreth tetë mijë banorë, gjendet në pjesën perëndimore të Gjermanisë.

Heise ka fituar më së shumti vota prej kandidatëve të tjerë në zgjedhjet për këshillin e këtij qyteti, shkruan CNN. Ajo përfaqëson grupin e komunitetit “Ne për Kirchheimbolanden” që promovon zhvillimin e qëndrueshëm, pjesëmarrjen qytetare dhe angazhimin e rinisë.

Kryetari i këtij qyteti, Klaus Hartmüller, ka deklaruar se Heise në pikëpamje mendore dhe fizike është e fortë dhe e përshtatshme për këtë pozitë në këshillin e qytetit.

“Lise Heise në muajin prill i ka bërë 100 vjeç dhe vendosi të kandidojë për këshill në pranverë të këtij viti dhe ia doli! Përveç kësaj, ajo ka avancuar nga lista prej 20 kandidatësh duke u renditur e para në zgjedhje”, ka theksuar kreu i qytetit.

Heise gjatë karrierës së saj ka punuar mësuese dhe ka qenë e pasionuar pas notit. Madje, gjatë fushatës ajo i ka dhënë shumë rendësi rihapjes së pishinës së qytetit dhe fuqizimit të rolit të të rinjve në këtë qytet.