I paraburgosuri që vdiq në QKUK ishte 82 vjeçari që pritej të ekstradohej në ShBA

I paraburgosuri Ramiz Bardoniq, 82 vjeçar ka vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi vuante nga disa sëmundje.

“R. B, me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë me datë 30 qershor rreth orës 23:00 është udhëzuar të dërgohet në Spitalin Rajonal të Pejës, dhe nga aty për shkak të gjendje jo të mirë shëndetësore është dërguar në Kliniken e Neurologjisë të SHSKUK-së, ku si pasojë e komplikimeve shëndetësore ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Bardoniq ndodhej në paraburgim lidhur me akuzat për veprën penale keqpërdorim seksual. I dyshuari pritej që të ekstradohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi dyshohej se gjatë qëndrimit atje kishte kryer veprën penale mundësim apo detyrim në prostitucion dhe për drogë.

I njëjti pas një kërkese të SHBA‘së, që u përcoll nga INTERPOL-i, u arrestua në shtëpinë e tij, nën dyshimet për mundësim ose detyrim në prostitucion, blerje, posedim, shpërndarje apo shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Dyshimet janë se Bordoniqi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998, duke qëndruar aty në mënyrë ilegale, që nga janari i atij viti e deri në shtator të vitit 2001.

Për këto tre vite, ai dyshohet se e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve në Fair Banks në Alaska.