IKD: Për tri vjet janë parashkruar mbi 170 mijë lëndë, buxheti u dëmtua mbi 2 milionë €

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka publikuar raportin: “Amnistia e ligjshme e milionave të kundërvajtjeve”, raporton Ekonomia Online.

IKD-ja ka gjetur se për 3 vjetët e fundit janë parashkruar mbi 170 mijë lëndë në të gjitha gjykatat e vendit.

Përderisa buxheti i shtetit del se është dëmtuar me mbi 2 milionë euro.

Betim Musliu nga IKD-ja, tha se trajtimi i kundërvajtjeve duhet të bëhet me efikasitet, në mënyrë që të evitohen mundësitë që këto lëndë të parashkruhen.

Sipas tij, praktika tregon se këto raste nuk trajtohen dhe zgjidhen me kohë.

“IKD-ja si rezultat i punës së monitorimit dhe hulumtimit në sistemin e drejtësisë ka gjetur qe trajtimi i lëndëve të kundërvajtjes është një nder problemet më të mëdha qe administrohet në mënyrë shumë të keqe nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu sistemi gjyqësor i Kosovës ka një kosto të madhe për sa i përket taksa paguesve për shkak të këtij menaxhimi të dobët kemi miliona euro të cilat amnistohen për shkak se nuk arrijnë asnjëherë që të bëhen ekzekutime e të gjitha këtyre kundërvajtjeve të cilat shqiptohen”.

“Në njërën anë kemi një investim shumë të madh të shtetit i cili përmes institucioneve përkatëse këtë rast e kemi shumë të angazhuar policinë e Kosovës në shqiptimin e kundërvajtjeve që bën punë shumë të madhe duke harxhit miliona buxhet për të shqiptuar kundërvajtje dhe në anën tjetër kemi një menaxhim shumë të keq kur shkon lënda në gjykatë”.

“…si rezultat i këtyre lëndëve vjen deri të afati i parashkrimit të lëndëve që i bie se të gjitha lëndët hidhen në shportë realisht edhe ai shqiptim që është bërë për kundërvajtje bien në ujë dhe poashtu edhe kundërvajet të cilat gjenden në gjykate bien për shkak të vjetërsisë”, tha Musliu.