IKD: Sistemi i drejtësisë “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të dielën, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin analitik: “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.

Raporti është një analizë e thellë e rasteve të “veteranëve të rrejshëm”, të cilat janë trajtuar në mënyrë të detajuar, ku përfshihen gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete se si të shtohet efikasiteti dhe efektiviteti i sistemit të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve për të mbrojtur interesin publik, respektivisht buxhetin e taksapaguesve të Republikës së Kosovës.

Hyrije Mehmeti, hulumtuese në IKD, bëri të ditur se është elaboruar gjithë baza ligjore rreth rolit të prokurorit dhe gjykatësit në procedurën penale si dhe obligimet e tyre për të siguruar zhvillimin e një procedure penale, duke filluar prej Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjin e Prokurorit të Shtetit, Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas Mehmetit, nga analiza e IKD-së, rezulton se sikurse prokurorët ashtu edhe gjykatësit, në raste të caktuara, kanë dështuar të mbrojnë interesin publik, rrjedhimisht dëmin e shkaktuar në Buxhetin e Republikës së Kosovës nga “veteranët e rrejshëm”.

Gzim Shala, hulumtues në IKD, tha se në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, roli i Prokurorit të Shtetit në mbrojtjen e interesit publik me rastin e shkaktimit të dëmit nga kryerja e veprës penale është pothuajse ekskluziv.

Ndër të tjera, Shala ka thënë se në rastet që IKD ka evidentuar, sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.

“Legjislacioni penal i Republikës së Kosovës i jep Prokurorisë dhe Gjykatave kompetenca të mjaftueshme për të mbrojtur interesin publik, në rastin konkret buxhetin e Republikës së Kosovës. Në rastet që IKD ka gjetur, sistemi i drejtësisë është shfaqur i pa interesuar për ta mbrojtur buxhetin e Republikës së Kosovës në rastet e “veteranë mashtrues”. Kjo për arsye se Prokuroria e Themelore e Pejës në 20 aktakuza nuk ka propozuar që të pandehurit ta kompensojnë dëmin e shkaktuar. Në një proces gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës nuk ka shqiptuar fare dënimin plotësuar për kompensimin e dëmit nga ana e të pandehurit. Përpos kësaj, dënimi i shqiptuar nga ana e Gjykatës Themelore në Pejë ka qenë 1300 dënim me gjobë, derisa përfitimi i kundërligjshëm i të pandehurit në emër të pensionit të veteranit ka qenë më i lartë, përkatësisht 1530 euro” tha Shala.

Ndërsa hulumtuesi i IKD-së, Driton Nocaj, ka theksuar se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënim plotësues për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Tutje, Nocaj ka rekomanduar që gjykatat me rastin e caktimit të vendimit mbi dënimin të zbatojnë në tërësi Udhëzuesin e Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore dhe veçanërisht gjykata ta ketë parasysh kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale” si njëri ndër qëllimet kryesore të dënimit.

Ndryshe, IKD ka rekomanduar edhe që sistemi i drejtësisë mos të ndërtojë praktika të tilla në të cilat procedura penale zhvillohet në mënyrë “bllanko”, por të jenë të vendosur që në një procedurë penale të arrihet vetë qëllimi i ekzistimit të procedurës penale.