IKD: Vërtetimi për të kaluarën kriminale, cenim i sigurisë juridike

Vërtetimi për të kaluarën kriminale i cili u kërkohet qytetarëve, është cenim i drejtpërdrejt i sigurisë juridike. Ky është vlerësimi që ka dalë nga analiza e legjislacionit dhe praktikave rreth lëshimit të vërtetimeve nga Policia e Kosovës, i publikuar të dielën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Autori i kësaj analize, Gëzim Shala ka thënë se, evidencat penale të cilat mirëmbahen dhe shfrytëzohen në Kosovë, cenojnë sigurinë juridike dhe shkelin të drejtat e njeriut nga vetë organet e drejtësisë dhe sigurisë.

“Duke mos interpretuar drejt dispozitat ligjore në kuadër të sistemit unik juridik të Kosovës, në fushën e lëshimit të certifikatave për të kaluarën kriminale është krijuar dualizëm mes sistemit gjyqësor dhe Policisë së Kosovës. Rezultat i këtij dualizmi është cenimi i skajshëm i sigurisë juridike të qytetarëve dhe personave juridik të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Shala.

Për të menaxhuar me evidencat penale, Ligji për Gjykatat ka përcaktuar si institucion të mandatuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, raporton Koha Ditore.

Ndërkaq Yll Zekaj ka paraqitur disa prej rekomandimeve të IKD-s, duke kërkuar që institucionet të ndalojnë vënien e obligimit për tu pajisur me të ashtuquajturën certifikatën e së kaluarës kriminale. Sipas tij, në secilin proces apo procedurë e cila zhvillohet pranë këtyre institucioneve, e mjaftueshme është certifikata e lëshuar nga Gjykatat.

”Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të ndryshojë Rregulloren për Mbajtjen e Evidencave Penale dhe të njëjtën ta harmonizojë me Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që mos të krijohen pasoja të dënimit me gjobë”, ka thënë Zekaj.

IKD po ashtu ka kërkuar prej Avokatit të Popullit të dalë me një raport “ex-officio” dhe t’i rekomandojë Policisë së Kosovës ndalimin e lëshimit të këtyre certifikatave. / Koha.net