Incizoi krimet e serbëve në Krushë, thotë se kasetën ia ka dhënë Lulzim Bashës

Milaim Bellanica, personi i cili filmoi momentin e krimeve të serbëve ndaj kosovarëve në fshatin Krushë e Madhe, thotë se kasetën ia ka dhënë Lulzim Bashës.

I ftuar në Open ai tregoi të gjithë ngjarjen se si në fillim ia dorëzoi një kopje të kasetës BBC dhe më pas Lulzim Bashës.

“Atë natë që u publiku në BBC, zbriti helikopteri në shtëpinë ku flija, aty kanë qenë refugjatët e Suharekës. Ata u tutën se mos po vjen armiku. Ishin persona me logon e Gjykatës së Hagës.

Më thirri Lulzim Basha dhe tha Milaim Bellanica a je aty, dhe më thirrën të bisedoja me to? Shkova të bisedoj me ta. Kaseta ka qenë sa paketa e cigareve. Dhe me thanë kush të paguar ty për të bërë këtë inçizim. Basha ma bëri këtë pyetje. Dhe unë i thashë që nuk e kam bërë për asnjë. Në fillim më tha Dashamir Peza. Edhe atij  i thashë që e bëra për familjen që ta dinë gjeneratat se çfarë bën armiku ndaj popullit shqiptar. Pastaj më thotë: A fillojmë bisedën?

Dhe i thashë që vetëm nëse do dalim jashtë Shqipërisë, se këtu për 5 lekë ta heqin kokën për këtë inçizim. Kështu u thashë që dua të largohem nga Shqipëria. Gjyqi i Hagës nuk largon njerëz, por tha që bashkë me BBC do të largojmë vetëm nëse më jep kasetën origjinale. Gjatë gjithë bisedës kuptova që nuk ishin të bindur se e bënë serbët atë gjë. Lulzim Basha u prezantua, dhe më tha jam me prejardhje nga Peja, i lindur në Shqipëri,” tha Bellanica.