Inspektorati në Prizren, fillon pastrimin e rrënojave në rrugën ku humbi jetën 3 vjeçarja, Xheneta Gashi

Me qëllim të evitimit të rrezikut për qytetarë, Drejtoria e Inspektorateve sot ka filluar pastrimin e rrënojave në dy objektet në rrugën Marin Barleti, të cilat gjenden brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit.

Këto dy objekte janë të përfshira në projektin e “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”, me ç’rast do të bëhet rindërtimi i tyre.

Ky proces ka filluar pas marrjes së pëlqimeve dhe rekomandimeve të nevojshme nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), Këshilli i Trashëgimisë Kulturore (KTK) dhe Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërkaq edhe punimet po realizohen në mbikqyrje të QRTK-së.

Me këtë rast, njoftohen të gjithë qytetarët që për shkak të punimeve t’iu shmangen qarkullimit në këtë pjesë, ku janë vendosur edhe shenjëzimet e nevojshme për qëllime të sigurisë, njofton faqja zyrtare e Komunës së Prizrenit.

Ndryshe, nga rrënojat e një objekti të vjetruar në këtë rrugë, para disa vitesh kishte humbur jetën vogëlushja tre vjeçare, Xheneta Gashi.