Inspektoratini punës flet për Punëtorin që ra nga një lartësi prej 2 metrash

Një punëtor i ndërtimit ka rënë nga 2 metra lartësi në një objekt ndërtimi afër ndërtesës 40 katëshe.

Zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku ka treguar se punëtori është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe se ai është jashtë rrezikut për jetë.

“Punëtori ka rënë prej një lartësie diku afërisht 2 metra, nuk është tek ndërtesa 40 katëshe por mbrapa ndërtesës 40 katëshe. Sipas komunikimit që më dha inspektori ai është dërguar për trajtim, e sipas tij nuk është në rrezik për jetë”, tha Millaku për KP.

Millaku tregon se inspektorët, policia dhe policia dhe institucionet tjera janë në vendin e ngjarjes të cilët po bëjnë inspektimin e vendit të punës.

Ai nuk ka dhënë detaje tjera rreth asaj se si ka ndodh gjithë kjo, duke thënë se gjithçka do të bëhet e ditur pasi të përfundon raporti i inspektorëve.

“Inspektorët janë në vend të ngjarjes bashkë me institucionet tjera me polici dhe të tjerë, janë duke e bërë incizimin situacionit, gjegjësisht bëjnë inspektimin e vendit të punës dhe së shpejti do të kemi raportin zyrtar lidhur me rastin”, tregon Millaku.

Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se ngjarja ka ndodhur të premten në ora 11:15.

“Rreth orës 11:15 është raportuar për një person të rënë nga lartësia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë rastin. Po ashtu janë ftuar edhe ekipet mjekësore për dhënien e ndihmës së nevojshme”, tregoi Borovci.