Inspektorë sanitar me tiketa të reja për ata që nuk respektojnë vendimet e Qeverisë (Foto)

Inspektorët sanitar në terren pritet që nga sonte të fillojnë të japin tiketa për gjoba të gjithë personave fizik e juridik që nuk respektojnë vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Në dokumentet të cilat i ka siguruar Telegrafi thuhet se gjobat do të jenë deri në 500 euro për personat fizik dhe deri në 1 mijë euro për personat juridik.

Gjithashtu në etiketa sqarohet se personat e gjobitur i kanë dy mundësi: Mund të paguajnë brenda 15 ditëve gjobën, me mundësinë që të paguajnë vetëm 50 për qind të shumës së gjobës së shqiptuar, apo nëse brenda 15 ditësh nuk e paguan gjobën, ose nuk ankohet brenda 8 ditësh, atëherë zbatohen procedurat e Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Gjithashtu në etiketë thuhet se të gjitha këto kundërvajtje do të procedohen në gjykatat kompetente./Telegrafi/