Institucioni i Avokatit të Popullit anëtarësohet në rrjetin evropian të organeve të barazisë (EQUINET)

Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës u bë sot anëtari i 50-të i Rrjetit Evropian të Organeve të Barazisë (EQUINET). Ky rrjet ka për mision promovimin e barazisë në Evropë, duke mbështetur dhe aftësuar organet e barazisë në punën e tyre, për të qenë të pavarur dhe efektiv në angazhimin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe trajtimi i pabarabartë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka prezantuar sot para anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të EQUINET kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit për të qenë anëtar me të drejta të plota në Rrjetin Evropian të Organeve të Barazisë (EQUINET).

Me këtë rast, Jashari theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës funksionon në përputhje me Statutin e EQUINET dhe kriteret e paracaktuara dhe së këndejmi plotëson kushtet e kërkuara për të qenë anëtar, krahas institucioneve të tjera të barazisë, anëtare të këtij rrjeti.

Përkundër kundërshtimit formal nga ana e Serbisë, respektivisht notës së protestës nga ana e Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, si dhe lobimit paraprak nga ana e tyre, me shumicë votash, anëtarët e EQUINET votuan për anëtarësimin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës në këtë rrjet.

Anëtarësimi i Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës në Rrjetin Evropian të Organeve të Barazisë (EQUINET) është një sukses tjetër i radhës për këtë institucion dhe i shtohet listës së anëtarësimeve në strukturat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.