Inter e zyrtarizon, Juve e proteston

Antonio Conte me një komunikatë të lëshuar në ora 6 të mëngjesit nga faqja zyrtare e Interit, tashmë është shef i shtabit teknik të nerazzurrëve.

“Po fillon një kapitull i ri në jetën time dhe jam i emocionuar,” ka thënë Conte për faqen zyrtare të ekipit sot.

“Me punë, do të mundohem t’i shpaguhem kryetarit dhe drejtorëve që më dhanë besimin. Interin e kam zgjedhur për shkak të klubit, projektit dhe ambicieve. Kam qenë i befasuar nga çiltërsia e drejtuesve duke treguar se ku dëshirojnë ta dërgojnë Interin,” ka thënë Conte.

E në anën tjetër, tifozët e Juventusit kanë nisur peticionin për heqjen e yllit të Contes nga legjendat e bianconerëve.

Deri tash, mbi 3 mijë tifozë të Juventusit kanë nënshkruar peticionin me të cilin po kërkojnë largimin e yllit të legjendës së klubit.

“Kalimi te Inter nuk është zgjedhje profesionale e Contes. Profesionale do të ishte po të kalonte në Napoli, Roma , Milan…,” ka shkruar ndër të tjera në peticion.

“Conte ka shkuar te ekipi që tenton në çdo mënyrë të shkatërrojë pjesën e suksesit të Juventusit ku ka qenë vetë ai protagonist. Me yllin në stadium prezantojmë ‘juventinon’ për të jetën dhe jo vetëm të kaluarën. Kështu, Conte më s’prezanton vlerat e bianconerëve,” ka vazhduar më tej letra.

Antonio Conte 49 vjeç ka qenë futbollist shumëvjeçar i Juventusit me të cilët ka fituar tituj dhe Ligën e Kampionëve.

Ai ka mbi 400 paraqitje me bianconerët si lojtar. Më vonë, ai fitoi edhe tre tituj me ekipin kur iu kthye si trajner. Conte po vjen te Inter, pas largimit të Luciano Spallettit nga detyra e trajnerit të klubit nga Meazza. (nga TopSporti.com)