Interpoli dërgon për votim aplikacionin e Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha se Komiteti Ekzekutiv i Interpolit ka debatuar sot rreth aplikacionit të Kosovës dhe vendosi që dosja e Policisë të Kosovës të dërgohet për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, që këtë vit do të mbahet në Kili.

Pacolli ka uruar që edhe Serbia t’i thërret zërit të arsyes dhe “të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë”.

Postimi i plotë i Pacollit në FB:

Gjatë ditës së sotme, Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon( Francë) debatoi rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe vendosi në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, e cila këtë vit do të mbahet në Kili.

Policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avansuara.

Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme.

Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqës dhe sigurisë.

Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri.