Irani i kërkon Interpolit lëshimin e fletarrestit për 48 zyrtarë amerikanë, përfshirë Trumpin

Irani i ka nisur kërkesë Organizatës Ndërkombëtare të Policisë, Interpol, për lëshimin e një fletarresti ndërkombëtar për 48 zyrtarë amerikanë, mes të cilëve është edhe presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar të martën Forbes.

Kërkesa në Interpol është bërë për vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, në fillim të vitit 2020 në një aksion të ushtrisë amerikane në Irak.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë të Iranit, Ghulam Hussein Ismaili, ka thënë se hetimet për vrasjen e komandantit të njësitit elitar Quds, çojnë në përfshirjen e gjashtë shteteve, përfshirë edhe Irakun.

“Është vërtetuar se për vrasjen e Soleimanit janë fajtorë 48 zyrtarë, përfshirë edhe presidentin Trump, si i akuzuari i parë”, është shprehur Ismaili. Ai ka thënë se Irani ka kërkuar nga Interpoli lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për të dyshuarit.

Soleimani u vra një vit më parë në një aksion të ushtrisë amerikane në Bagdad. Ai u vra me dron. Pos tij, u vranë edhe nëntë persona të tjerë.