Isa Mustafa injoron kritikat, thotë se Kuvendi bashkoi gjithë LDK-në

Kryetari i rizgjedhur dje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar rreth ecurisë së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së.

“Kuvendi ynë unifikoi diversittin tonë të mendimit dhe të veprimit, që emrues të përbashkët e ka programin tonë politik të qendrës së djathtë, dhe për më shumë e ka Kosovën tonë. Kuvendi na bashkoi të gjithëve. Të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. Kështu, bashkë, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashkë, s’ka kush që na del para!” ka shkruar Mustafa.

Kreu i LDK-së më tej ka shtuar se “Në Kuvend u demonstrua një kulturë demokratike, e muratuar me durim dhe përpjekje të mëdha gjatë 30 vjetëve të zhvillimit dhe ekzistencës dhe veprimit të LDK-së. E trashëguar dhe e kultivuar me kujdes dhe respekt nga Kryetari dhe Presidenti ynë Historik, Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e jonë e përbashkët!”.

“E konsideroj veten të nderuar me besimin që ma dhanë delegatët e Kuvendit. Këtë besim e meritojnë dhe e kanë merituar shume veprimtarë dhe veprimtare të LDK-së. LDK ka njerëz të mrekullueshëm. Besimin tuaj e konsideroj përgjegjësi ndaj gjithë juve!”, ka shkruar në fund Isa Mustafa.