Isa Mustafa një javë pas zgjedhjeve: Koalicionin me VV’në nuk do ta kushtëzoj me postin e Presidentit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, një javë pas zgjedhjeve kishte deklaruar se koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të kushtëzohej me postin e presidentit.

Me 17 tetor, në Klan Kosova, Isa Mustafa ishte pyetur se a do të bëhet president i Kosovës.

I pari i LDK’së kishte thënë se është nder i veçantë që dikush ta mbyllë karrierën e tij politike si president, mirëpo megjithatë në asnjë moment koalicioni me VV’në nuk do të kushtëzohet me kërkesa apo pozita të veçanta shtetërore.

“T’iu them të drejtën nuk kam ndonjë përgjigjë. Tash unë s’mund të them publikisht që unë s’do të isha i interesuar apo s’jam i interesuar të jem president i vendit sepse është një nder i veçantë që dikush ta mbyllë karrierën e tij politike me përgjegjësi të tillë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ishte shprehur Mustafa.

“Mirëpo, nuk jam unë ai që mundem ta bëjë vetën president dhe as ta imponojë vetën si president të vendit, në qoftë se partia dhe koalicioni e përkrahin idenë madje edhe opozita sepse duhet t’i kemi 80 deputetë në Kuvend që të marrin pjesë në rundin e parë kur zgjidhet presidenti. Por, në asnjë moment koalicioni me Vetëvendosje, nuk do të drejtohet, nuk do të kushtëzohet dhe nuk do të imponohet me kërkesa të veçanta të miat për pozita të veçanta shtetërore”, kishte thënë Mustafa një javë pas zgjedhjeve.