Ish-avokati i Fatmir Limajt, Karim Khan emërohet kryeprokuror i ri i Hagës

Kryeprokurori i ri i Gjykatës Penale Ndërkombëtare është avokati britanik Karim Kahn. Ky i fundit është i njohur edhe për mbrojtjen e ish-ministrit të MTPT-së në Kosovë, Fatmir Limaj, i cili ishte akuzuar për krim të organizuar dhe më pas u lirua në vitin 2017.

Ai premtoi t’u drejtohet shteteve jo-anëtare dhe të sigurohet që gjyqet të mbahen në vendet ku janë kryer krime.

Khan, një avokat 51 vjeçar, ka përvojë shumë vjeçare në të drejtën ndërkombëtare si prokuror, hetues dhe avokat mbrojtës. Ai mori detyrën nga prokurori, Fatua Bensuda i Gambisë, mandati nëntë vjeçar i të cilit skadoi dje, raporton ap.

“Përparësia për mua dhe unë besoj se është një parim i Statutit të Romës, nuk është të përqendrohem shumë atje ku zhvillohen gjykimet, por të siguroj që mosndëshkimi të mundet dhe të sigurohet përgjegjësia”, tha Kahn, transmeton Telegrafi.

Ai tha se Haga duhet të jetë selia e gjykatës dhe të gjykohet në vendet dhe rajonet ku janë kryer krimet.

Khan tha se dëshiron të bashkëpunojë me vendet që nuk janë në mesin e 123 vendeve anëtare të gjykatës për të arritur drejtësinë. Fuqitë botërore të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës nuk janë anëtare dhe nuk njohin juridiksionin e gjykatës.

“Unë jam i bindur se ne mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët në kërkim për të siguruar çrrënjosjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”, tha Kahn.

Khan kohët e fundit drejtoi një hetim të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për krimet në Irak, duke thënë muajin e kaluar në Këshillin e Sigurimit se ai kishte zbuluar “prova të qarta dhe bindëse” se ekstremistët e Shtetit Islamik kryen gjenocid ndaj anëtarëve të pakicës etnike në 2014.

Ai ka mbrojtur klientët në gjykatat ndërkombëtare në të kaluarën, duke përfshirë ish-presidentin të Liberisë, Charles Taylor dhe zëvendëspresidentin kenian, William Ruth. /Telegrafi/