Ish drejtori i Urbanizmit në Prizren, kërkon hudhjen e aktakuzës për keqpërdorim pozite

Ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza, e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar–dhjetor 2015, se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me televizionin lokal, TV Opinion, për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Kryeziu, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Arben Shala, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Shala, aktakuza ndaj klientit të tij nuk ka mbështetje në prova, dhe se klienti i tij ka vepruar në bazë të ligjeve në fuqi.

Ai ka deklaruar se i mbrojturi i tij, ka lidhur kontratë në bazë të ligjit për ndërtimet pa leje, dhe se sipas tij, kontratat e lidhura kanë qenë mujore, të cilat nuk kanë tejkaluar shumën prej 1000 euro.

Një deklarim të tillë, e ka mbështetur edhe i akuzuari Kryeziu, duke shtuar se Drejtoria e Urbanizmit ka pasur të deleguara kompetencat shtesë nga ligji për ndërtim të objekteve pa leje.

“Për dallim nga departamentet tjera për atë vit fiskal, Drejtoria e Urbanizmit ka pas të deleguara kompetenca shtesë që kanë rrjedhur nga Ligji për Ndërtim të Objekteve pa Leje (legalizimi i ndërtimeve pa leje), në momentin që ligji ka hyrë në fuqi, ne si drejtori kemi qenë të thirrur në Prishtinë në takime ditore për implementimin e këtij ligji në Komuna në atë kohë”, ka thënë i akuzuari Kryeziu.

Ai ka thënë se ai ishte këshilluar nga komuna që të lidhin kontrata, në vlerë jo më shumë se 1000 euro, për sensibilizimin e qytetarëve për Ligjin për ndërtimet pa leje.

Mirëpo, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit dhe të akuzuarit.

Ai ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria ka mbështetje në prova dhe se pas administrimit të tyre gjatë shqyrtimit kryesor do të vërtetohet arsyeshmëria në ligj e aktakuzës së ngritur.

“I akuzuari ka lidhur kontratë me Tv Opinion, për sensibilizimin e opinionit rreth legalizimit të objekteve pa leje të ndërtuara në Komunën e Prizrenit, kontrata ka qenë e afatizuar për një vit ku shuma mujore ka qenë 600 euro, ndërsa ajo vjetore 7200 euro, kështu pas ekspertizës të ekspertit financiar Agim Sheqiri, është ardhur në përfundim se kontrata në fjalë është në kundërshtim me ligjet në fuqi”, ka thënë prokurori Sefaj.

Tutje, prokurori Sefa ka thënë se eksperti Agim Sheqiri ka pasur një urdhëresë financiare të lëshuar nga prokurori, lidhur me një çështje penale të ngjashme që e ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në Komunën e Prizrenit, ku sipas tij, eksperti financiar ka pasur për obligim që përveç drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj, a ka pasur edhe shkelje të tjera të ngjashme nga drejtorët tjerë.

Mirëpo, këtë ekspertizë e ka refuzuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arben Shala, i cili ka thënë se ekspertiza financiare është bërë në rastin e ish-drejtorit të Administratës, me datë 29 gusht 2017, ndërsa sipas tij, vendimi për fillimin e hetimeve ndaj të mbrojturit të tij, është bërë më 2 korrik 2019.

Sipas Shalës, pagesat për këtë kontratë janë bërë vetëm për dy muaj, e jo siç përshkruhet në aktakuzën e prokurorit për një vit.

Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se nuk do të marrë vendim rreth kërkesës për hudhjen e aktakuzës deri në sigurimin e ekspertizës financiare.

Ajo ka obliguar prokurorin që brenda afatit 20 ditorë të sigurojë ekspertizën financiare lidhur me pagesat e kryera nga i akuzuari Nijazi Kryeziu.

Gjykatësja Elezi, më pas ka ndërprerë seancën e së martës, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 5 dhjetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor të këtij viti, Kryeziu ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputetin aktual të PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi