Ish-gazetari intervistohet nga Specialja

Ish-gazetari i TVSH-së, Nuhi Bytyçi është intervistuar nga Specialja. Ai kishte marrë ftesë në maj të këtij viti nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një deklarate për media, Bytyçi ka thënë se përgjigjet e tij ishin në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së.

Deklarata e plotë e Bytyçit:

Pas kërkesës zyrtare me shkrim, që më është dërguar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, kam dhënë dëshminë lidhur me veprimtarinë time si gazetar gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dua të njoftoj opinionin publik se e gjithë dëshmia ime, të gjitha përgjigjet e mia në interesimin e prokurorisë, ishin në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së.

Puna ime si gazetar dhe si udhëheqës i ekipit televiziv të Televizionit Shqiptar në zonat e luftës, e prezentuar në TVSH dhe në mediat botërore përmes shumë emisioneve televizive, është dëshmia më e mirë e angazhimit tonë të pastër, e orientimit të drejtë dhe fisnik të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bazuar në këtë angazhim profesional dhe kombëtar në shërbim të lirisë së atdheut tim, e kisha të lehtë që edhe para Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të dëshmoj të vërtetën në mbrojtje të veprimtarisë sonë çlirimtare.

Ashtu siç e kam thënë edhe në deklarimet e mia të mëhershme, unë jam krenar që kam qenë pjesë aktive e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe jam i gatshëm që në çdo kohë të dëshmoj të vërtetën e sakrificës gjithëpopullore për liri dhe pavarësi.

Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.