Ish këshilltari i Thaçit numëron ‘4 mashtrimet’ e Kurtit në videon e djeshme

Publicisti Adri Nurellari ka kritikuar Kryeministrin në dorëheqje, Albin Kurti, për deklarimin e djeshëm të tij përmes videon së publikuar në profilin e tij.

Kurti në atë video ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë duke vënë theksin në zhvillimet në veri.

Në reagimin e tij, ish këshilltari i Thaçit, i ka numëruar, siç është deklaruar ai, mashtrimet të cilat Kurti i ka bërë në videon e tij.

Sipas Nurellarit, Kurti nuk i ka deklaruar të vërtetat kur ka folur për rolin e Qeverisë së Kosovës në karantimin e komunave në pjesën veriore të Kosovës, kur ka deklaruar se nuk janë duke u bërë dallime etnike në luftë kundër pandemisë, kur ka deklaruar se Kosova prin në rajon me numrin e testeve për COVID-19 dhe se kur Kurti ka deklaruar se qeveria e udhëhequr prej tij po kujdeset edhe për shëndetin e qytetarëve në veri të Kosovës.

 

Ky është postimi i plotë i Adri Nurellarit:

Katër mashtrimet kryesore të katër minutave të videos së Kurtit

Në monologun e recituar në videon e djeshme, kryeministri në largim u përpoq që të kompensonte mungesën e tij nga debatet e hapur javës së fundit duke folur tërë marraz e tone të ndezura për disa çështje njëherazi si dhe duke gënjyer haptazi. Ja disa nga mashtrimet kryesore të video-spotit të tij të mbrëmshëm:

Së pari mashtroi kur tha se vendimin për karantinimin e dy komunave veriore të Kosovës e ka marrë Prishtina. Faktikisht qeveria e tij vetëm sa i është gjunjëzuar vendimit të marrë më herët nga strukturat paralele. I pafuqishëm për ta kundërshtuar vendimin e Beogradit për karantinimin e dy komunave të veriut të Kosovës për të cilin u njoftuam nga mediat serbe te premte ai dje u përpoq ta mbulojë kinse ishte vendim i ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës. Po të mos kishte reaguar opozita, me siguri as nuk do e kishte bërë fare këtë përpjekje për maskim. Mirëpo kryeministri në ikje Kurti duhet të na sqarojë a është gjithashtu vendim i ministrisë së tij të shëndetësisë imponimi i orës policore të Serbisë në komunat e veriut prej disa javësh, orar ky që është krejt ndryshe nga ora policore në pjesën tjetër të Kosovës.

Së dyti, mashtroi kur tha se nuk duhen bërë dallime etnike në luftën kundër pandemisë. Gjatë videos së tij ai tha se ne kemi një të vdekur dhe nuk e llogarit aspak si shtetasin kosovar me përkatësi etnike serbe nga Leposaviqi që vdiq prej koronavirusit. Pra nëse Albini me të vërtetë e konsideron veriun pjesë të Kosovës, atëhere ai mbrëmë duhej të thoshte dy të vdekur, shtetasi 82 vjeçar shqiptar nga Dumnica e Podujevës dhe 47 vjeçarin serb nga Brusi i Leposaviqit.

Së treti mashtroi kur tha se Kosova ka numër rekord të testimeve kur krahasimisht ka një ndër numrat më të ulëta të rajonit tonë. Në Ballkan rekordin e mban Sllovenia me 11127 teste për 1 milion banorë për të vijuar mandej me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut Greqinë e kështu me radhë. Kosova është në fund të listës me 1022 teste për 1 milionë duke lënë pas vetëm Serbinë dhe Shqipërinë me një distancë të vogël.

Së katërti mashtroi kur tha se qeveria e tij në detyrë po kujdeset për qytetarët pa dallim etnie e komune. Tashmë e kanë pranuar vetë edhe zyrtarët e qeverisë së tij të shkarkuar, se kanë hyrë qindra mjekë, infermierë dhe stafe mbështetëse serbe të drejtuar në Beogradi të cilët janë në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë duke u kujdesur ata për shtetasit tanë me etni serbe. Pra janë autoritetet shtetërore të Beogradit të lejuara nga qeveria në ikje e Prishtinës ato që po merren me testimin izolimin dhe trajtimin e qytetarëve kosovarë të përkatësisë serbe. Jo vetëm kaq por këto autoritete serbe i kanë çuar madje shtetasit kosovarë me përkatësi serbe që të kurohen në Nish e jo në spitalet e Kosovës.