Ish-Presidenti bolivian drejt azilit në Meksikë

Ish-Presidenti bolivian Evo Morales u nis me një avion drejt Meksikës, ku i është dhënë azil.

Ministri i Jashtëm meksikan Marcelo Erbrad shkruajti në Twitter “Jeta dhe integriteti yt janë të sigurtë”, si dhe publikoi një fotografi ku zoti Morales shfaqet në bordin e një avioni të forcave ajrore meksikane, duke mbajtur në prehër një flamur meksikan.

Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur largimin e zotit Morales, dhe kanë hedhur poshtë pretendimet e disa vendeve, përfshirë Meksikën, se ai u detyrua të largohet nëpërmjet një puçi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shpreh në një deklaratë se largimi i zotit Morales “është një moment domethënës për demokracinë në Hemisferën Perëndimore. Pas gati 14 vitesh dhe përpjekjes së tij rishtazi për të anashkaluar kushtetutën boliviane dhe vullnetin e popullit, largimi i zotit Morales ruan demokracinë dhe përgatit rrugën që të dëgjohet zëri i popullit bolivian”. / VOA