Ismaili dhe Jagxhillar nënshkruajnë kontratën për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se sot po nis jetësimi i Spitalit të Prishtinës, një projekt i munguar dhe i kërkuar prej kohësh nga prishtinasit.

Këto deklarata ministri Ismaili i bëri pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për studimit të fizibilitetit dhe hartimin e projektit detal të Spitalit të Prishtinës nga ministri, Mahir Jagxhillar dhe kompania e njohur gjermane ICME.

“Sot jam shumë i lumtur që po nis jetësimin e tij një prej projekteve që kam filluar gjatë këtij viti”, ka thënë ministri Ismaili duke shtuar. “Realizimi i këtij projekti që synon barazi e drejtësi për qytetarët ka qenë njëri nga prioritetet e mia kryesore. Kam qenë i angazhuar që të korrektohen gabimet e të kaluarës që kanë lënë Prishtinën në harresë, kurse qytetarët e Prishtinës pa kujdesin e duhur shëndetësor.”

Nënshkrimi i sotëm për Studimin e Fizibilitetit është një hap tjetër i rëndësishëm në ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Ky studim do të vlerësojë madhësinë dhe kapacitetet e tij.

Kësisoj ai do të hap rrugën për vazhdimin e mëtutjeshëm të këtij projekti me rëndësi të madhe për kryeqytetin.

Për periudhën tri vjeçare 2019-2021, janë ndarë 7 milionë euro për ndërtimin e këtij Spitali me mundësi shtimi të buxhetit nëse studimi i fizibilitetit thotë se ai do të kushtoj më shumë.