Italia vendos karantinë për udhëtarët e BE-së, ja sa zgjat izolimi

Qeveria e Italisë do të vendosë karantinë të detyrueshme 5-ditore për udhëtarët që vijnë nga vendet e BE-së për shkak të valës së tretë të pandemisë në shumë shtete.

Deri më tani, vetëm personat që vinin nga shtetet jashtë Bashkimit Evropian ishin të detyruar që të izolohen, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Italia ishte shteti i parë i Evropës që u godit rëndë nga pandemia në valën e parë vitin e kaluar. Pas saj, numër të madh të rasteve shënuan Spanja, Franca dhe Britania e Madhe.

Vendimi i së martës erdhi në kohën kur edhe disa vende tjera kanë marrë masa të ngjashme. Gjermania do të kërkojë test negativ për Covid-19 për udhëtarët që vijnë me aeroplan.

Gjermania po vazhdon të qëndrojë në izolim të pjesshëm, por numri i rasteve po vazhdon të rritet. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, njoftoi se do të shtohen kontrollet edhe në kufijtë tokësorë për t’u siguruar se rregullat e reja po zbatohen.

Përpos kësaj, disa spitale të Berlinit të martën morën vendim për pezullimin e përdorimit të vaksinës së AstraZeneca-s për stafin e grave nën moshën 55-vjeçare për shkak të shqetësimeve rreth mpiksjes së gjakut në tru, që është paraqitur te një numër i vogël i personave të vaksinuar.