Grupet punuese nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të LDK-së në takimin e së enjtes (pasnesër) do të diskutojnë për sundim të rendit dhe ligjit, raporton portali “Front Online”.
“Të enjten do të diskutojmë vetëm për sundimin e ligjit. Në grupin punues për këtë takim nga Vetëvendosja do të ketë ndryshime, në grup do të jetë ekspertët e kësaj fushe: Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu”. Kjo është bërë e ditur për “Front Online” nga nënkryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Besnik Bislimi.
Përndryshe, grupet punuese të dy partive politike deri me tani kanë zhvilluar disa takime për t’i harmonizuar programet për arritjen e një koalicioni qeverisës.
Përbërja e grupit punues nga Lëvizjes Vetëvendosje ka ndryshuar disa herë, varësisht prej temës që është diskutuar, ndërsa grupi punues i LDK-së ka qenë po ai i njëjti.
Së fundi pjesë e grupit punues nga LDK është bërë edhe nënkryetari i parë i kësaj partie, Lutfi Haziri, për të cilën zyrtari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka shprehur dyshime se do të jetë pengesë në arritjen e një koalicioni mes dy partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.