Ja edhe sa ditë ka kohë të formohet Qeveria sipas Kushtetutës

Me 6 tetor qytetarët e Kosovës i’u drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj të vendit.

Megjithëse kanë kaluar 14 ditë nga zgjedhjet, akoma grupet punuese të dy partive fituese, respektivisht LDK dhe LVV nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nga LDK është thënë se do të presin çertifikimin e rezultatit zgjedhor për të filluar me procedurat e mëtejshme.

Njohësi i çështjeve Kushtetuese Riza Smaka, në një prononcim për Gazeta Blic ka treguar procedurën dhe afatet ligjore që duhet të respektohen deri në formimin e qeverisë së re.

“Sipas dispozitës së nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve që kanë përfunduar presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit mandatarin për formimin e qeverisë.Mandatari/mandatarja do të jetë ai apo ajo që e përfaqëson partinë politike apo koalicionin politik më të madh që e ka numrin e nevojshëm për formimin e qeverisë. Ai mandatar do të ketë obligim sipas Kushtetutës nga dita që do të mandatohej 15 ditë për ta hartuar listën e ministrave dhe për t’ja propozuar Kuvendit për miratim.Kuvendi me shumicën relative me së paku 61 vota po qe se do ta votonte do të konstituohej qeveria dhe do të funksionalizohej” thekson Smaka.

Smaka tregon se çfarë do të ndodhte nëse do të dështohej për tu formuar qeveria brenda këtyre afateve.

“Nëse do të dështonte për tu formuar qeveria brenda këtyre ditëve atëherë do të paraqitej mandatari i mandatarit tjetër që do ta bënte listën e deputetëve por ai ose ajo do të kishte afat prej 10 ditësh. Nëse do të dështonte dhe kjo, atëherë presidenti do ta shpërbënte Kuvendin dhe do të shpallte zgjedhjet e jashtëzakonshme”thotë ai.

Ndërsa monitoruesja e KDI, Agnesa Haxhiu thekson se në fillim duhet të përfundoj procesi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së dhe pastaj fillohet me proceduarat për konstituimin e Kuvendit.

“Sa i përket afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit, së pari duhet të përfundoj procesi i numërimit dhe pastaj certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së. Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, brenda 30 ditëve pas shpalljes përfundimtare të rezultateve nga KQZ, presidenti duhet të thërras seancën konstituive të Kuvendit. Në qoftëse Presidenti nuk e bën këtë, seanca mund të thirret nga vet Kuvendi. Gjatë seancës konstituive duhet të verifkohen mandatet e deputetëve të legjislaturës së re dhe më pastaj Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe nënkryetarët e tij me ç’rast edhe konsiderohet Kuvendi i konstituar. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Me shumicë të votave zgjedhen edhe tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare dhe dy nënkryetarë që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend.Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rrugë formimit të Qeverisë me propozim të kandidatit për kryeministër nga ana e Presidentit”

Në zgjedhjet e 6 Tetorit Lëvizja Vetëvendosje u rendit partia e parë, Lidhja Demokratike partia e dytë ndërsa Partia Demokratike e Kosovës zuri vendin e tretë./Gazeta Blic/