Ja si terrorizohen turistët spanjollë të Himarë

Janë publikuar pamjet filmike nga ngjarja e rëndë e shënuar pasditen e djeshme në Himarë, ku pronari i lokalit “Panorama”, Mihal Kokëdhima, 51 vjeç, ka sulmuar fizikisht një grup turistësh spanjollë, pas një konflikti të zhvilluar në ambientet e biznesit të tij.

Materiali i bashkëngjitur më poshtë ngjason me inskenimet e filmave hollivudianë, ku Kokëdhima ka dëmtuar mjetin e transportit privat të turistëve dhe ndërkohë që është në lëvizje, tenton të hyjë brenda duke thyer xhamin, për të vijuar dhunën ndaj turistëve.

51-vjeçari është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, veçanërisht shtetases spanjolle me iniciale K.R.

Tmerri për familjen nga Spanja ka zgjatur për disa minuta deri sa mjeti është larguar deri në vendin e quajtur “Volloder”, ku është pikasur nga një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), që kanë ndërhyrë menjëherë.

Konflikti nisi pasi turistët kishin mbetur të pakënaqur nga shërbimi në lokal dhe kanë tentuar të largohen.

Kokëdhima është arrestuar dhe materialet në ngarkim të tij, iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”. / Lapsi.al