Jep dorëheqje kryetari i degës së LDK-së në Dragash, liron pozitën edhe nga Këshilli i Përgjithshëm

Selim Kryeziu ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në Dragash, pas rezultatit jo të mirë që parti pësoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në këtë komunë.

Kryeziu në një postim në Facebook ka thënë se mban përgjegjësinë për këtë rezultat të dobët të LDK-së në Degë.

“Duke marrë përsipër rezultatet e dobëta të 14 shkurtit, ashtu siç kam paralajmëruar edhe më herët, unë Selim Kryeziu, kryetar i deritashëm i Degës së LDK-së në Dragash, jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës. Këtë vendim sot me shkrim ja kam dorëzuar edhe Kryesisë së degës”.

Kryeziu në një postim në Facebook ka bërë të ditur se dorëhiqet edhe nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Meqenëse, në pozitën si anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, jam nga pozita e kryetarit të degës, atëherë, jap dorëheqje edhe nga kjo pozitë, duke i hapur kështu rrugë kryetarit të ardhshëm që të zë këtë vend”.

Kryetari i deritanishëm i degës së LDK-së ka falënderuar edhe Isa Mustafën për bashkëpunimin, derisa kryetarit të ri, Abdixhiku i ka uruar suksese.