Jep dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Trepçës, Hysen Vrajolli

Sot ka dhënë dorëheqje ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Trepçës, Hysen Vrajolli.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Shyqyri Sadiku.

“Sot ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Trepçës, Hysen Vrajolli ka paraqitur dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme”, tha Sadiku.

Punëtorët e kombinatit Trepça që nga mbrëmë janë duke vazhduar grevën, me arsyetimin se ata nuk kanë marrë ende pagën e muajit tetor.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të javës kishte marr vendim që Trepçës t’i ndahen 1.1 milion euro.

Ky vendim është marr pasi minatorët e minierës në Stantërg kishin ndërprerë punën në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave. /Telegrafi/