Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk duhet t’i lejohet të arrijë marrëveshjen për “demarkacionin” e kufirit me Kosovën, që do të thoshte njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, heqje dorë në mënyrë të pakthyeshme nga njëra prej shtyllave të identitetit kombëtar të Serbisë, si dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe” brenda një periudhe prej më së shumti 10 vjetësh.
“Miti i Kosovës dhe besëlidhja, përveç letrave tona dhe gjuhës, si dhe besimit ortodoks, janë ato që na bëjnë serbë. Kurse Vuçiqi po përgatitet që të na privojë përgjithmonë nga kjo. Kjo është kundër ligjit, Kushtetutës dhe standardeve etike dhe morale që na i lanë etërit tanë. Askush nuk e ka bërë këtë, që kur ekziston shteti serb”, ka thënë Jeremiq në bisedë me qytetarë dhe anëtarë të partisë së tij në Pasjan afër Gjilanit në Kosovë.
Siç thuhet në njoftimin e Partisë Popullore të Serbisë të cilin e përcjellin mediat serbe, Jeremiq ka thënë se pa nënshkrimin e Serbisë, Kosova nuk mund të fitojë pavarësinë, dhe se “regjimi ‘progresiv’ në krye me Vuçiqin është i gatshëm ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë, në mënyrë që të vazhdojë pushtetin e tij me plaçkitje të përmasave të mëdha, me dhunë dhe lidhjen me krimin e organizuar”.Jeremiq theksoi se Partia Popullore kundërshton çdo marrëveshje që do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të Serbisë.