Juventusi fiton ndeshjen dramatike ndaj Sassuolos

Juventusi ka arritur të mposht Sassuolon me rezultat 3-1 në kuadër të javës së 17-të në Serie A.

Zonja e Vjetër ka vuajtur mjaftë shumë për t’i marrë tri pikët në Allianz Stadium, derisa dy lojtarë i mbetën të lënduar.

Ishte minuta e 19-të kur Wenston McKennie nuk arriti të vazhdonte takimin për shkak të lëndimit, duke lëshuar fushën për Aaron Ramseyn.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Paulo Dybalan (42′) që pësoi lëndim dhe në vend të tij u inkuadrua Dejan Kulusevski.

Pedro Obiang në minutën e 45+2 u përjastua nga takimi me karton të kuq për ndërhyrjen e rrezikshme ndaj Federico Chiesas.

Pjesa e dytë ishte edhe më spektakolare, pasi u shënuan plotë katër gola.

Ishte minuta e 51-të kur Danilo kaloi Zonjën e Vjetër në epërsi, mirëpo Sassuolo i barazoi shifrat në 1-1 shtatë minuta më vonë me anë të Gregoire Defrel .

Ishte minuta e 82-të kur Gianluca Frabotta gjeti për mrekulli Aaron Ramseyn që riktheu epërsinë për kampionin në fuqi të Serie A-së.

Binakonerët nuk u ndalën me kaq dhe arritën të realizonin edhe golin e tretë me anë të Cristiano Ronaldos (90+2′).

Pas javës së 17-të Juventusi është në vendin e katërt me 33 pikë, derisa në javën e 18-të do të kenë punë me Genoan. /Telegrafi/