Kadaj-Bujupi: Zgjedhjet referendum për ndarje ose jo të Kosovës

Sekretarja Organizative e AAK-së, Donika Kadaj–Bujupi, ka deklaruar se partia e saj është në rritje, duke folur për punën e Qeverisë Haradinaj, ajo u shpreh se kryeministri në dorëheqje e ndali ndarjen e Kosovës.

“Sot jem para një momenti kyç ku do të votohet pro ndarjes ose kundër ndarjes së Kosovës sepse ka pasur plotë subjekte të cilat e kanë përkrahur agjendën e presidentit, Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës, të gjithë ata të cilët nuk kanë bërë përpjekje për ta ndalur Thaçin për ndarjen e Kosovës e kanë përkrahur atë”, tha ajo në Debat Plus në RTV Dukagjini.

Zyrtarja e AAK-së, ka përmendur edhe emra që sipas saj kanë quar përpara idenë e shkëmbimit të territorit.

“Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka përkrahur ndarjen e Kosovës, edhe Hashim Thaçi pra janë dy persona që kanë përfaqësuar dy subjekte politike, Haziri (LDK) ndërsa Thaçi (PDK), kjo pasi e dimë ndikimin e Thaçit në PDK, këto zgjedhje janë për atë që e duan ndarjen e Kosovës ose jo, janë pikërisht referendum për ndarjen ose jo të Kosovës”, është shprehur Kadaj.

Deputetja nga AAK, në emisionin Debat Plus u shpreh se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka pas mundësi të bëjë shumë për shkak të koalicionit të gjërë me shumë parti politike.