Kamenicë: Nënshkruhet marrëveshje për sigurimin e ujit të pijshëm në shkollën “Abdulla Krashnica”-Koretin

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me përfaqësuesin e Klubit Rotarian “Prishtina Internacional”, Ilir Krasniqi dhe përfaqësuesin e Rotary Klub “Gjilani”, Xhevdet Thaçi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e ujit të pijshëm në shkollën “Abdulla Krashnica”, në Koretin.

Kreu i komunës tha se po angazhohet maksimalish që nxënësve t’u krijojë kushte më të mira infrastrukturore e arsimore.

Ndërkaq, përfaqësuesi i RCPI-së Ilir Krasniqi, tha se janë të përkushtuar që ta ndihmojnë komunitetin e Kosovës me projekte në fusha të ndryshme, e që njëra nga to është edhe sigurimi i ujit të pijshëm.

Kryetari Kastrati falënderoi Krasniqin e Thaqin për bashkëpunimin e tyre në këtë projekt.  Komuna e Kamenicës bashkë me Klubin Rotarian “Kamenica” i cili është në themelim, dhe Klubi Rotarian “Gjilani”, janë përgjegjëse për zbatimin e të gjitha aspekteve operative të projektit deri në implementim, njofton Zyra për Informim e kësaj Komune.