Kandidatët për kryeministër, të gatshëm ta drejtojnë dialogun

Të gjithë kandidatët, të cilët po synojnë postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, janë të gatshëm ta udhëheqin dialogun. Së paku kështu kanë deklaruar ata përgjatë këtyre 9 ditëve të fushatës zgjedhore, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se dialogu do të udhëhiqet nga qeveria e assesi nga presidenti ose ekipe artificiale. Osmani ka thënë se në rast se ajo e merr pozitën e kryeministres do të udhëheqë me këtë proces.

Njëjtë mendon edhe kundërkandidati i saj nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Edhe Kurti ka thënë se në dialogun me Serbinë ai do të jetë prijës i procesit.

Ndonëse kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim se a do ta udhëheqë dialogun në rast të marrjes së qeverisë, kandidatë për deputetë nga kjo parti kanë bërë të ditur se kryeministri i PDK-së do ta drejtojë dialogun dhe jo presidenti aktual Hashim Thaçi, shkrua më tutje “Zëri”.

Tutje, edhe kandidati i koalicionit Nisma – AKR – PD, Fatmir Limaj, ka thënë se do t’i udhëheqë negociatat me Serbinë nëse bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të tetorit.

Ndërsa nga koalicioni AAK – PSD besojnë se dialogu është kompetencë e Qeverisë dhe jo e presidentit. Ata janë shprehur se do t’i përdorin mekanizmat e nevojshëm për t’ia parandaluar presidentit vazhdimin e dialogut.

Mirëpo kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, gjatë mandatit të tij në krye të Qeverisë ia kishte dorëzuar vetë drejtimin e dialogut presidentit Thaçi. /Zëri/