Siç ka bërë të ditur kryetari i Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, Sadi Guven, kandidati Ekrem Imamoglu i Aleancës Kombëtare kryeson në Stamboll me 27 mijë e 889 vota diferencë, ndërkohë që 84 kuti votimi janë ende subjekt ankimi.
Turqia zgjodhi të dielën drejtuesit vendorë për 5 vitet e ardhshme.
Ato çfarë spikatën në këto zgjedhje ishin aleancat ndërmjet forcave politike.
Fitues i zgjedhjeve lokale të 31 marsit në Turqi është shpallur Aleanca Popullore.
Sipas rezultateve paraprake jozyrtare të zgjedhjeve vendore, dy aleancat kryesore kanë marrë këto rezultate:
Aleanca Popullore [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) – Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP)]: 51,74%
Aleanca Kombëtare [Partia Popullore Republikane (CHP) – IYI Partia]: 37,64%
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 84,66%.
Në këto zgjedhje, AK Partia ka dalë fituese në 44,32% të bashkive, CHP-ja në 30,1% të bashkive, IYI Partia në 7,45% të bashkive, MHP-ja në 7,31% të bashkive dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP) në 4,24% të bashkive. Thënë ndryshe, AK Partia ka fituar 796 bashki në shkallë vendi, CHP-ja 246, MHP-ja 227, HDP-ja 69 dhe IYI Partia 21 bashki.
Kurse të gjitha forcat e tjera politike së bashku kanë fituar 6,58% të bashkive.
Sa i përket tri prefekturave më të mëdha të Turqisë, shpërndarja e votave sipas rezultateve jozyrtare është si më poshtë:
STAMBOLL
Aleanca Popullore [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) – Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP)]: 48,51%
Aleanca Kombëtare [Partia Popullore Republikane (CHP) – Partia IYI]: 48,79%
“Sipas të dhënave që më kanë mbërritur mua, kandidati Ekrem Imamoglu i Aleancës Kombëtare ka fituar 4 milionë e 159 mijë e 650 vota, ndërsa kandidati Binali Yildirim i Aleancës Popullore 4 milionë e 131 mijë e 761 vota. Procesi i ankimit vazhdon. Deri më tani, në sistem janë ngarkuar të dhënat e 31 mijë e 102 kutive, ndërsa 84 kuti votimi janë subjekt ankimi”, tha kryetari i Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, Sadi Guven, gjatë një prononcimi për media në Ankara.
ANKARA
Aleanca Popullore [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) – Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP)]: 47,1%
Aleanca Kombëtare [Partia Popullore Republikane (CHP) – Partia IYI]: 50,9%
IZMIR
Aleanca Popullore [Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) – Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP)]: 38,67%
Aleanca Kombëtare [Partia Popullore Republikane (CHP) – Partia IYI]: 58,06%. /trt-shqip/