Kaos nga rrugët e papërfunduara në Prishtinë

Në vazhdën e rindërtimit dhe të rikonstruktimit të rrugëve në Prishtinë gjatë këtyre ditëve kanë filluar punimet në rrugën “Nazim Gafurri”, si dhe në rrugën “Ibrahim Lutfiu”, ndërsa në lagjen “Taslixhe” të shtunën u protestua pikërisht për arsyen e zvarritjes së punimeve në rrugën “Ymer Paqarizi”. Banorët nëpër këto rrugë kanë zënë të ecin me maska mbrojtëse ndaj pluhurit, shkruan gazeta “Zëri”.

Dy rrugët kryesore të pjesë së vjetër të qytetit të Prishtinës janë kthyer në kaos këtyre ditëve pas fillimit të punimeve për rikonstruktimin e tyre. Në rrugën “Ibrahim Lutfiu” dhe “Nazim Gafurri” kanë filluar punimet për rikonstruktimin e tyre. Kompania e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës ka gërryer këto rrugë, gjë që po i shqetëson më së shumti banorët.

Ata për “Zërin” kanë thënë se përveç rritjes së rrezikut për qarkullim të lirë në këto rrugë, tjetër faktor shqetësues është edhe pluhuri në përmasa të mëdha, i cili po përhapet nga ndërtimet dhe nga rikonstruktimet e stërzgjatura të tyre. Banorët nëpër këto rrugë kanë zënë të ecin me maska mbrojtëse ndaj pluhurit.

“Këtë javë kanë filluar punimet. Para tre-katër ditësh sapo janë gërryer këto dy rrugë dhe retë e mëdha të pluhurit që po shpërndahen dhe po futen edhe brenda shtëpive rreth e qark këtyre rrugëve janë të frikshme nga pasojat e dëmeve dhe të rrezikimit të shëndetit të banorëve. Pluhuri i madh gjithsesi rrezikon edhe shëndetin e nxënësve të të dyja shkollave të mesme, që janë këtu afër, por edhe të një shkolle fillore, e cila gjendet fare pranë rrugës ‘Nazim Gafurri’. Ne po shpresojmë që punimet do të kryhen shpejt”, ka thënë Hazir Gashi, banor i kësaj pjese të qytetit.