Kastrati: Riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se synon të bëj reformën në arsim në shkollat e kësaj komune dhe se kjo është në kompetenca të Komunës e jo të MASHT-it.

Sipas tij, pas hulumtimit të gjendjes në terren dhe konsultimit me profesionistë të kësaj fushe në Kosovë, e më gjerë, janë të bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm dhe këtë e bënë në interes të fëmijëve të cilët janë fokus të tyre.

“Ne jemi të bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Kamenica sot ka 40 për qind më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. 19 nxënës e kanë vetëm një shok klase dhe 25 të tjerë nuk e kanë asnjë shok klase” thotë Kastrati në emisionin “Imazh” në RTK1.

Sipas tij, shkollat nuk po mbyllen e as që do të mbesin pa punë mësimdhënësit sot. Ai kundërshtimet që vinë nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, i quan qëndrime politike. “Ne në Kamenicë nuk do të lejojmë ndërhyrjen e kryetarit të sindikatës. Çështja e organizimit të proceseve shkollore është në kompetencë të Komunës e jo të MASHT-it dhe nuk do të tërhiqemi nga kjo”. thotë ai.

Kastrati, edhe njëherë ka konfirmuar se reforma e planifikuar nga ai do të nisë së implementuari.

Ideja e këtij riorganizimi, sipas tij, është zvogëlimi i numrit të shkollave në Kamenicë dhe bartja e nxënësve nga ana e komunës në shkolla të caktuara. / RTK