Kastrati thotë se po akuzohet për përgatitje të veprave terroriste për “molotovin e gjetur në VV”

Kandidati për deputet në radhët e Partisë Socialdemokrate, Gëzon Kastrati, ka njoftuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprën “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Në një postim në Facebook, ish-anëtari i Vetëvendosjes ka thënë se ai, Korab Korça dhe Çlirim Gërbeshi po akuzohen “kinse ne kemi përgatitur 648 koktej molotovi që janë ‘gjetur’ në depon e VV-së”.

“Sot pranova një telefonatë nga Prokuroria Speciale dhe u njoftova që na është ngritur një aktakuzë për veprën ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’. Bashkë me Korab Korça (ish aktivist i VV-së, tash në PSD) dhe Çlirim Gërbeshin (aktivist i VV-së) po akuzohemi për ‘Përgatitje të Veprës Terroriste’, kinse ne kemi përgatitur 648 koktej mollotovi që janë ‘gjetur’ ne depon e VV-se”, ka shkruar Kastrati në postimin e tij.

Kastrati ka thënë se nuk kanë marrë zyrtarisht informatën për ngritjen e aktakuzës.

“Me një shpejtësi të paparë, për rreth 2 muaj (edhe pse “provat” ishin të gatshme 3 vite më parë) jemi ftuar një herë nga policia dhe një herë nga prokurori për t’u deklaruar dhe sot e kuptuam që na është ngritur aktakuzë edhe pse zyrtarisht nuk na është kumtuar ende. Pra Gjykata as nuk na ka komunikuar gojarisht e as nuk na e ka dërguar me shkrim njoftimin për ngritje të aktakuzës ndërsa prokuroria na ka njoftuar që mund ta marrim dosjen”, ka shkruar më tej ai.

Ai e ka quajtur proces gjyqësor me prapavijë politike. Madje ai ka thënë se “nuk e kuptoj a na është veshur kjo akuzë për shkak të angazhimit politik të atëhershëm apo të sotshëm?!”

“Spektakli policor në depot e VV-së pati ndodhur me 1 shtator të vitit 2016, ditën e protestës kundër Ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, 2 dite pas arrestimit nën akuzën për terrorizëm të Astrit Deharit, Adea Batushës, Atdhe Arifit, Egzon Halitit, Frashër Krasniqit dhe Petrit Ademit për kinse sulm ndaj Kuvendit të Kosovës. Për që është proces gjyqësor me prapavijë politike jam i bindur. Thjeshtë nuk po e kuptoj kohën dhe shpejtësinë e trajtimit të kësaj lende të para 3 vitesh. Nuk po e kuptoj a na është veshur kjo akuze për shkak të angazhimit politik të atëhershëm apo të sotshëm?! P.s. Paralelisht me zbulimin e motiveve te këtij procesi, lehtësisht do e vërtetojmë edhe pafajësinë tonë”, ka përfunduar ai. / Koha.net