Katër deputetë me aktakuza

Në ulëset e caktuara për deputetë, në legjislaturën VII, do të ulen 52 deputetë që kanë arritur të zgjidhen në këtë post për herë të parë.

Por, as kësaj legjislature nuk do t’i mungojnë deputetët me aktakuza, të cilët kanë probleme me ligjin, raporton KTV.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili ka arritur të bëhet deputet, është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, që hyn në kapitullin e veprave korruptive të Kodit Penal.

Lekaj është duke u gjykuar për këtë rast nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

Duke qenë deputet i ardhshëm i Kuvendit, po nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj do të përballet me drejtësinë.

Demaliaj ka dy aktakuza, njërën për fryrje të listës së veteranëve dhe tjetrën për kërcënimin e ish-prokurorit Special, Elez Blakaj.

Shoqëria civile thotë se pavarësisht se avokuan që partitë të mos kandidojnë individë me aktakuza, kjo nuk u mor parasysh.

Kjo, sipas tyre, zbeh kredibilitetin e Kuvendit.

Ndërkohë, ulëse në Kuvend për legjislaturën e ardhshme ka siguruar edhe Ivan Todosijeviqi nga Lista Serbe.

Në kohën sa ishte ministër i Pushtetit Lokal, Todosijeviqi i quajti shqiptarët terroristë dhe masakrën e Reçakut trillim.

Për këtë, Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tij, për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.”

Nga PDK-ja, me aktakuzë është Mërgim Lushtaku, i biri i Sami Lushtakut, i cili ka arritur të bëhet sërish deputet.

Ndaj tij është duke u zhvilluar proces gjyqësor, si i akuzuar se ndihmoi babanë e tij për t’u arratisur nga QKUK-ja, në kohën kur po gjykohej për krime lufte. / Koha.net